Prezantimin e parë publik të këngëtares Mirsa Kerçeli e kujtojmë para pesë vjetëve në festivalin “Kënga Magjike”, kur me këngën “Djaloshi im” ajo atë vit pat fituar çmimin “Magjia e parë”.
Që nga ajo kohë, Mirsa ka sjellë këngë, albume dhe videoklipe të shumta, duke u radhitur ndër këngëtaret më të pëlqyera në tregun kosovar. Gjatë një bisede për “Zërin”, këngëtarja gjilanase shprehet se të gjitha ëndrrat artistike që i ka pasur deri tash, i ka realizuar.
“Për këto pesë vjet jam shumë e kënaqur me atë që kam arritur. Atë që kam dashur edhe e kam realizuar. Nga këto vite artistike kam fituar sukses, çmime, adhurues dhe popullaritet”, theksoi ajo duke shtuar se është lehtë të krijosh emër, por më vështirë është ta ruash atë. “Është shumë vështirë ta ruash popullaritetin. Duhet shumë punë, angazhim dhe sakrificë që publiku të të përkrahë gjithmonë”, tregon Kerçeli.
E për të mos i zhgënjyer adhuruesit, Mirsa ka realizuar një këngë të re, e cila është transmetuar gjatë programeve të Vitit të Ri, kurse pret që shumë shpejt t’ia realizojë edhe videoklipin. “Kënga titullohet ‘Sa për ty’ dhe është e punuar nga Hekuran Krasniqi.
Është pritur shumë mirë nga publiku dhe mendoj t’ia incizoj edhe videoklipin gjatë javëve të ardhshme”, tregoi ajo për videoklipin e këngës më të re. Këngëtarja Kerçeli ka kohë që nuk merr pjesë nëpër festivale, por duket që as nuk do ta shohim shumë shpejt.
“Më pëlqen të marr pjesë nëpër festivale, por gjithmonë kur vinte koha e dorëzimit të këngëve për festivale, unë nuk e kisha këngën të përgatitur, dhe kjo është edhe arsyeja pse kam munguar”, thotë ajo, e cila bëri me dije se nuk do të jetë as pjesë e edicionit të ri në “Top fest”.
Jam e dashuruar
Ndryshe nga shumë këngëtare të cilat nuk preferojnë të flasin për jetën private, ku në mesin e tyre ishte edhe Mirsa, duket se këtë herë gjërat janë duke ecur mbarë në sferën personale të saj, saqë ajo tregon se është edhe e dashuruar.
Duke iu referuar këngës “Djaloshi im”, me të cilën Mirsa bëri emër dhe popullaritet në publikun shqiptar, ajo thotë për “Zërin” se djaloshi i saj jeton në Kanada. “Jam e dashuruar.
Momentalisht i dashuri im është në Kanada, por rri shumë kohë edhe në Kosovë”, theksoi Mirsa, duke shtuar se përpos lidhjes së dashurisë mes tyre ende nuk kanë bërë ndonjë hap më të madh.
“Jo, nuk kemi ndonjë plan rreth fejesës. E rëndësishme është që lidhja po funksionon mirë dhe gjërat e tjera vijnë ngadalë”, përfundon bisedën këngëtarja Kerçeli.
Ervina Cani